Karakaçi: Të gjitha akset e Korridorit Blu do të ndërtohen me PPP
Ministri i Infrastrukturës deklaron se akset e Korridorit Blu do të realizohen me model koncesionar për të ulur barrën mbi buxhetin e shtetit.
Të gjitha segmentet rrugore që janë pjesë e Korridorit Blu do të ndërtohen përmes skemës së Partneritetit Publik Privat (PPP). Këtë e bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili theksoi se modeli koncesionar do të përdoret për të gjithë akset e projektit strategjik.
Sipas ministrit, kontratat për segmentet e tjera të Korridorit Blu do të ndjekin të njëjtën qasje si ajo e zbatuar për aksin Thumanë-Kashar, me synimin për të minimizuar barrën financiare për buxhetin e shtetit dhe për të garantuar ndërtimin e infrastrukturës sipas standardeve europiane.
“Edhe kontratat për segmentet e tjera të Korridorit Blu do të ndjekin të njëjtin model koncesionar, i cili synon të minimizojë barrën financiare për buxhetin e shtetit, duke garantuar njëkohësisht ndërtimin e infrastrukturës strategjike sipas standardeve europiane. Dua të theksoj faktin që duhet edhe të përmendim që aksi Thumanë-Kashar është autostrada e parë e kategorisë A në vend”, deklaroi Karakaçi.
Thumanë-Kashar, modeli referues
Ministri vlerësoi aspektet financiare dhe teknike të aksit Thumanë-Kashar, duke e konsideruar atë si rrugën me standardet më të larta të ndërtuara deri më sot në Shqipëri. Sipas tij, projekti përfaqëson një model që mund të përdoret edhe për segmentet e tjera të Korridorit Blu.
Karakaçi bëri të ditur se të ardhurat e pritshme nga operimi i aksit Thumanë-Kashar vlerësohen në rreth 1.3 miliardë euro gjatë një periudhe 35-vjeçare, duke përfshirë të ardhurat nga përdorimi dhe menaxhimi i infrastrukturës.
Raporti investim-fitim brenda standardeve ndërkombëtare
Sipas ministrit, praktikat dhe udhëzuesit ndërkombëtarë, përfshirë ato të Bankës Botërore, parashikojnë që në projektet e autostradave me koncesion afatgjatë të ardhurat totale të jenë rreth 1.5 herë më të larta se vlera e investimit përgjatë gjithë jetës së kontratës.
Ai sqaroi se koncesionari nuk mbulon vetëm ndërtimin fillestar të veprës, por edhe mirëmbajtjen rutinë, operimin e përditshëm, ndërhyrjet e thelluara pas viteve të përdorimit, si dhe riskun e trafikut dhe menaxhimin e aksit për dekada.
“Në këtë kuadër, raporti investim-fitim për projektin në fjalë konsiderohet brenda parametrave ndërkombëtarë për projekte të kësaj natyre”, u shpreh ministri.
Korridori Blu, një nga projektet kryesore infrastrukturore
Korridori Blu konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit, pasi synon përmirësimin e lidhjeve rrugore përgjatë vijës bregdetare dhe integrimin e rrjetit shqiptar me korridoret europiane të transportit. Qeveria synon që realizimi i tij të mbështetet kryesisht në partneritete me sektorin privat, duke shpërndarë kostot dhe përgjegjësitë e investimit në afat të gjatë.